Loading...
Home » » Si përgatitet djathi Mishavinë

Si përgatitet djathi Mishavinë


Mishavina përgatitet gjatë vjeshtës duke përdorur djathin e prodhuar nga qershori deri në shtator, nga qumështi i lopëve që ushqehen me kullotat e malit Trojan, në kufi me Malin e Zi.
Ky djathë copëtohet me dorë, kriposet dhe lihet të fermentojë në një enë druri, e cila mbyllet hermetikisht me një shtresë gjalpi të freskët ose të shkrirë, duke mundësuar që lëngu i krijuar gjatë këtij procesi të kullojë nga vrimat në fund të enës. Pas gati dy muajsh, djathi është gati. Ai ka ngjyrë të bardhë në të verdhë dhe një përbërje kremoze.
Konsiderohet si një ushqim dimri, i cili bashkë me lakrën turshi, mishin e derrit dhe rakinë e kumbullës përbëjnë ushqimin e nevojshëm për t’u mbijetuar dimrave të ftohtë me temperatura deri në – 30°C.
Djathi Mishavinë është produkt i Arkës së Shijes, një nga projektet e Slow Food International, që ka për qëllim ruajtjen e produkteve autentike vendore.
Prodhimi i Mishavinës lidhet tradicionalisht me praktikat e barinjve lëvizës në Kelmendin e Sipërm në Alpet Shqiptare. Aktualisht, vetëm rreth 100 banorë jetojnë në Kelmendin e Sipërm, zona më veriore dhe spektakolare e Alpeve shqiptare, njëkohësisht nga më të izoluarat në Europë. Prej vitit 2014 në Kelmend është krijuar Presidiumi i Mishavinës.
Share this article :

Lexoni Me Shume