Gjithçka filloi nga një fans: Ja si u bë Ermali shqiptari më i ndjekur në Facebook




Ermal Mamaqi e quan triumfin më të madh individual suksesin e tij në rrjete sociale dhe është fare mirë i vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit më i ndjekuri në Facebook me 2 milion e 66 mijë fansa dhe ndër më të ndjekurit në Instagram me 735 mijë ndjekës.
I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ aktori i humorit tregoi se mes të qenit mbret dhe skllav i rrjeteve sociale, ka gjetur një të mesme, pasi prej disa kohësh ka punësuar një staf që kujdeset për pjesën më të madhe të materialeve që postohen aty, kështu shmang impenjimin e vet me kohë të plotë në platformat sociale.

Por si filloi gjithçka? Për herë të parë një llogari Facebook-u me emrin Ermal Mamaqi është hapur në 2013-tën, por nuk e administronte Ermali.
“Ishte viti 2013 dhe unë nuk kisha një faqe Facbook-u. Dikush, një djalë, fans le të themi, kishte hapur një faqe Ermal Mamaqi dhe shkonte çdo gjë në rregull deri në momentin që ai postonte foto të familjes time dhe bënte si unë. I shkruaj, mundësoj takimin dhe në këtë pikë faqja kishte rreth 100 mijë veta.”

Djali që siç duket ishte adhurues i Ermalit dhe humorit të tij ia dhuroi faqen jo në këmbim të parave dhe Ermali nisi të shprehë veten dhe të publikojë ‘foto të çuditshme’ që tërhiqnin edhe më shumë vëmendjen e shqiptarëve.
“Faqja u rrit me shpejtësi shumë të madhe deri në momentin kur gjeta edhe një faqe tjetër që ishte me 300 a 400 mijë ndjekës. Pasi u verifikova si Ermal Mamaqi i vërtetë, Facebook-u i bashkoi ata ndjekësit dhe shkova direkt 1 milion.”
Por si u bë 2 milion?
“Kryesisht duke postuar humor, gjëra që nuk i bezdisin njerëzit. Punësova 2-3 njerëz dhe ata kanë për detyrë t’i kthejnë përgjigje të gjithë atyre që na shkruajnë në faqe, që na dërgojnë foto, video interesante, i themi faleminderit dhe ia postojmë. Ata duhet të ushqejnë fansat e faqes me humor. Është shumë e rëndësishme t’i përgjigjesh, sepse ata të vlerësojnë.”
Powered by Blogger.